Raporti: Rreziku nga fatkeqësitë natyrore në Tiranë, ja zonat më të ekspozuara
Njësia 2 në kryeqytet dhe Kashari janë dy njësitë që në rrezikun e kombinuar të fatkeqësive janë ato me ekspozimin më të lartë.
Raporti paraprak i Bashkisë së Tiranës që analizon vlerësimin e rreziqeve në nivel vendor merr parasysh të paktën gjashtë rreziqe duke nisur nga ai i përmbytjeve e deri tek rreziku biologjik e teknologjik për të nxjerrë përfundime mbi humbjet dhe ekspozimin rast pas rasti.
Në raport pranohet se kombinimi i të gjithë raporteve me rreziqe specifike si përmbytjet, rrëshqitjet, zjarret në pyje, sizmik, teknologjik dhe biologjik nxjerr disa zona të ekspozuara në nivele më të mëdha dhe të tjera në nivele dukshëm më të ulëta.
“Sipas analizës krahasuese të njësive administrative për risqet e paraqitura në gjashtë raportet e posaçme, njësia administrative më e ekspozuar ndaj fatkeqësive, referuar aseteve, në territorin e bashkisë janë njësitë administrative Kashar dhe 2, ndërsa ato më pak të ekspozuara janë njësitë administrative Baldushk, Kërrabe, Zall-Bastar.
Ndërsa referuar popullsisë, njësitë administrative më të ekspozuara ndaj fatkeqësive janë njësitë administrative 2&5, ndërsa njësitë më pak të ekspozuara janë: Baldushk, Bërzhitë, Kërrabe, Petrelë, Shëngjergj, Zall-Bastar” thuhet në këtë vlerësim paraprak.
Njësia numër 2 në kryeqytet është më e madhja për nga territori në Bashkinë e Tiranës dhe e dyta për nga popullsia. Ajo përfshin rajone të tilla si depoja e Ujit, Sauk, përreth Senatoriumit, Qyteti Studenti.
Pas një analizë të detajuar për çdo lloj rreziku, vlerësimi konstaton se risqet mbizotëruese në Bashkinë e Tiranës janë risku sizmik dhe ai biologjik, ndërsa risqet me nivel më të ulët janë risku nga zjarret në pyje dhe risku nga përmbytjet.
Referuar humbjeve ekonomike risku që prodhon më shumë kosto është risku sizmik, ndjekur nga risku biologjik, risku teknologjik dhe nga rrëshqitjet, ndërsa risku që prodhon koston ekonomike më të ulët është risku nga zjarret në pyje.
Raporti udhëzon që në kuadër të rreziqeve potenciale të merren masa për përballimin e tyre ku së pari është ajo që lidhet me parashikimet e fondeve buxhetore siç përcaktohet edhe në një sërë aktesh ligjore ku bashkitë udhëzohen të fondi 4 për qind i bashkisë të jetë si kontigjencë e kësaj forme. Për shkak të nevojave më të larta kjo mund të kombinohet me mbështetje të donatorëve.
Një tjetër element në uljen e rrezikut është ai për ndërhyrjet infrastrukturore që lehtësojnë akesin në zonat më të thella të Bashkisë Tiranë. Po kështu të bëhet njohja dhe regjistrimi me përparësi i zonave që kanë rrezikun më të madh.
Për secilin prej rreziqeve raporti sugjeron masa të ndara të cilat synojnë zbutjen e efekteve potenciale të tij./Monitor (https://monitor.al/rreziku-nga-fatkeqesite-ne-tirane-njesia-2-dhe-kashari-me-te-ekspozuarat-raporti-per-27-zona/)